Shërbimet Postare

Shërbimet postare dhe funksioni i ARKEP-it në Sektorin e Shërbimit Postar


Shërbime postare konsiderohen shërbimet e kryera nga ofruesi i shërbimit (Operatori) sipas kërkesës së shfrytëzuesit (konsumatorit) kundrejt pagesës së taksës postare e që nënkuptohet: pranimi, përpunimi, bartja - transporti, shpërndarja dhe dorëzimi i dërgesave postare.

  •   Shërbim universal konsiderohet pranimi, përpunimi bartja dhe dorëzimi i dërgesave:

1.          letrës me peshë deri dy (2) kg, dhe Sekogramit deri shtatë (7) kg;

2.          pakove - kolive me peshë deri njëzet (20) kg;

3.          shërbimet e urdhërpagesave, dhe

4.          shërbimet e veçanta që kanë të bëjnë me dërgesat nga pika 1, 2 dhe 3.

  •  Shërbime të rezervuara janë:

1.          pranimi, bartja dhe dorëzimi i dërgesave të thjeshta me peshë deri një (1) kg;

2.           pranimi, bartja dhe dorëzimi i dërgesave me procedurë gjyqësore, administrative dhe kundërvajtëse;

3.          prodhimi, emetimi, vënia në qarkullim dhe tërheqja nga qarkullimi i emisionit të pullës postare; dhe

4.          vendosja e kutive postare, zbrazja dhe mirëmbajtja e tyre.

  •  Shërbime tjera:

1.      shërbimet Ekspres (Express Mail) brenda vendit dhe në komunikacionin  ndërkombëtar, dhe

2.      shërbimet Korrier (Courier Services).

Shërbime postare në territorin e Republikës së Kosovës mund të ofrojnë personat fizikë dhe juridikë, të cilët janë të pajisur me licencë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronik dhe Postare (ARKEP) i cili është i autorizuar të lëshoj dhe tërheqë licencat operatorëve postar të cilët dëshirojnë të ofrojnë shërbime postare.

Aplikacionin për licencim mund ta merrni çdo ditë pune në zyrat e ARKEP-it, ose për ta shkarkuar ju lutem klikoni këtu.

Detyrat dhe autorizimet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronik dhe Postare (ARKEP) në fushën e shërbimeve postare janë të përcaktuara me nenin 6 të ligjit nr. 03/L-173 Për shërbime Postare dhe aktet tjera nënligjore të nxjerra në zbatim të këtij ligji:

Rregullatori sipas dispozitave të këtij ligji ka kompetencë dhe detyrë:

  1. të formojë sektorin që merret me hulumtimin dhe rregullimin e tregut të shërbimeve postare në territorin e Republikës së Kosovës;
  2. lëshon dhe tërheq licencat operatorëve postarë për ofrimin e shërbimeve universale dhe shërbimeve të tjera postare;
  3. miraton tarifat për shërbimet universale dhe të rezervuara postare, të propozuara nga Operatori publik postar;
  4. përcakton shkallën e peshës - limitin për shërbimet e rezervuara postare;
  5. përcakton tarifat për dhënien e licencave dhe taksën vjetore për ofrimin e shërbimeve postare, si dhe afatet për kryerjen e pagesës;
  6. propozon rregulla Ministrisë për ofrimin dhe përmbushjen e standardeve për realizimin e shërbimeve postare;
  7. mban regjistrin e licencave të lëshuara me të dhënat përkatëse;
  8. mbikëqyrë respektimin e kushteve të përcaktuara me licencë, dhe në rast të shkeljes së kushteve të licencës merr masat e nevojshme ndaj operatorëve postar;
  9. mbikëqyrë përdorimin e tarifave të shërbimeve postare dhe propozon marrjen e masave ligjore në rastet kur operatori postar nxjerr ose përdor tarifa në kundërshtim me masat e përcaktuara me këtë ligj;
  10. përcjell zhvillimet që kanë të bëjnë me sektorin postare dhe tregun e shërbimeve postare dhe merr masat e nevojshme për të siguruar barazi dhe transparencë për konkurrim në tregun e shërbimeve postare;
  11. zgjedh mosmarrëveshjet në mes të operatorëve postarë dhe shfrytëzuesve me operatorët postarë;

   12.  siguron shfrytëzuesve të shërbimeve postare kushte të barabarta;

   13.  mbledh informacionet e nevojshme që kanë të bëjnë me shërbimin postar dhe i publikon ato sipas nevojës;

   14.  nxjerr statutin dhe rregulloren e punës;

   15.  i dorëzon Kuvendit të Republikës së Kosovës raportin vjetor të punës;

   16.  të kryen edhe punë të tjera në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet e tjera nënligjore.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), konform rregullores së punës dhe akteve tjera ligjore dhe nënligjore publikon të dhënat dhe informacionet e nevojshme që kanë të bëjnë me Sektorin e Shërbimit Postar në faqen (Ueb) e saj zyrtare dhe bënë rifreskimin e tyre sipas nevojës.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), gjithashtu publikon të gjitha vendimet e nxjerra lidhur me Sektorin e Shërbimit Postar dhe Regjistrin e operatorëve postar të licencuar në Republikën e  Kosovës.

- Standardet e cilësisë së realizimit të shërbimit postar duhet të jenë brenda standardeve të parapara me Direktivën 97/67 EC, Article 16, Annex, përkatësisht nenin 30 pika 6 të ligjit nr 03/L-173 për shërbime postare.

- Sanksionet dhe gjobat lidhur me shkeljet e ndryshme të bëra në Sektorin Postar janë të parashikuara me nenin 43 dhe 44 të ligjit nr. 03/L-173 Për Shërbime Postare.

Shfrytëzuesit (konsumatorët) e shërbimeve dhe Operatorët, Ankesat dhe parregullsitë e ndryshme të paraqitura gjatë procesit të realizimit të shërbimeve postare mund ti paraqesin çdo ditë pune në zyrat e ARKEP-it, përmes faqes zyrtare ose adresat si në vijim:

E-mail:  info@arkep-rks.org

Ueb: www.arkep-rks.org