Njoftim publik lidhur me çështjen e kodeve shtetërore të telefonisë dhe internetit

 

a) Kodi Shtetëror i Telefonisë 

Siç dihet, aktualisht Kosova i shfrytëzon 3 kode për shërbime telefonike (+377, +386 për shërbime të telefonisë mobile dhe +381 për shërbime te telefonisë fikse). Shfrytëzimi i 3 kodeve shtetërore për telefoni ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktoj probleme në shumë aspekte, që nga zvogëlimi i atraktivitetit për investime në sektorin e telekomunikacionit, humbje financiare dhe vështirësitë e mëdha për të menaxhuar sistemin e numeracionit nga ana e rregullatorit dhe operatorëve që ofrojnë shërbime telekomunikuese në Kosovë. 

Të vetëdijshëm për këto, autoritetet gjegjëse Qeveria e Republikës së Kosovës (QeK) përmes ministrive përkatëse dhe Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) si autoritet rregullator nacional e kanë adresuar këtë problem me seriozitetin më të madh. Bazuar në përvojat e mëhershme dhe mossuksesin për të siguruar kodin shtetëror telefonik autoritetet kompetente kane vazhduar me zhvillimin e aktiviteteve dhe konsultimeve aktive me palët e interesit dhe palët që kanë shpreh gatishmërinë për të përkrahur këtë nismë.  

Hollësitë për çështje të kodit shtetëror të telefonisë përfshihen dhe pasqyrohen në rekomandimin e ITU-T E. 164.1. Në këtë dokument janë hollësitë për aplikim, për kriteret dhe për procedurat e marrjes së kodit shtetëror. Në nën-pikën 6.2.1 të pikës 6.2- Kriteret për ndarje thuhet qartë se vendi aplikant duhet të jetë i njohur nga ITU ose Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Rrjedhimisht, që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, së pari duhet të anëtarësohet në ITU (International Telecommunications Union) ose OKB e pastaj të aplikojë për kodin shtetëror të telefonisë. Për anëtarësim në ITU ekzistojnë dy mundësi:
-    Së pari anëtarësimi në OKB, e pastaj kërkesë formale për anëtarësim në ITU,
-    Anëtarësimi direkt në ITU, pa qenë anëtare e OKB-së, ku me këtë rast do të nevojiteshin së paku 2/3 e votave të shteteve anëtare (tash për tash 192 anëtar) që Kosova të anëtarësohet.

ART-ja deri me tani e ka bërë hapin e parë me hartimin e rregullores për planin e numeracionit, e cila ka pasur për bazë rekomandimin e ITU-së, Nr. E. 164.1 dhe Ligjin e Telekomunikacionit 2002/7 (neni 4 dhe neni 37). 

Duke u bazuar në dokumentin ‘Politikat e sektorit të telekomunikacionit’ pika [3.6.1.] të aprovuar nga Qeveria, ART në bashkëpunim të ngushtë me ministritë kompetente po punojnë që në një afat sa më të shkurtër të bëhet e mundur marrja e një kodi shtetëror telefonik, përkundër vështirësive te përmendura me sipër. 

Duke pasur parasysh faktin që momentalisht Kosova nuk ka kod të vetin telefonik, atëherë operatoreve të licencuar iu është lënë mundësia qe ata të bëjnë marrëveshje me shtete tjera për shfrytëzimin e kodeve të tyre telefonike, çka nënkupton se operatorët paguajnë shuma të caktuara, sipas marrëveshjeve përkatëse për shfrytëzimin e këtyre kodeve për bartjen e trafikut përmes këtyre shteteve. Për momentin operatori ‘Vala’ e shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ndërsa ‘Ipko’ kodin slloven (+386) me notifikimet përkatëse me/pas sigurimit të kodit shtetëror me/pas vendimeve përkatëse të ART-së këto kontrata edhe do pushojnë të së qeni valide. Pas marrjes së kodit, të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të jenë të obliguar që të përdorin kodin e ri unik pas një periudhe të përcaktuar nga ART. 

ART së bashku me ministritë kompetente gjatë vitit 2011 kanë paraparë një angazhim konsistent dhe më të intensifikuar në drejtim të zhvillimit të aktiviteteve lobuese dhe parashtrimin e konsideratave eventuale për kode rezerve të parapara si mundësi për alokim nga ana e ITU-së.

b) Kodi Shtetëror i Internetit 

Gjithashtu, ndërlidhur me angazhimet drejt sigurimit të një kodi shtetëror të internetit, të njohur si Top-Level Domenit (ccTLD-Country Code Top Level Domain), ART ka zhvilluar aktivitete të intensifikuara ku mes tjerash gjatë vitit 2011 ka rekrutuar edhe zyrtarin përgjegjës për administrimin dhe përgatitjen e gjithë dokumentacionit dhe udhëheqjen e procedurave drejt marrjes respektivisht sigurimit të kodit shtetëror të internetit. 

Sigurimi dhe marrja e këtij kodi po ashtu është i varur nga statusi ndërkombëtar i Republikës së Kosovës, gjegjësisht numrit të njohjeve. Procedurat zyrtare për sigurimin e një kodi të tillë- ccTLD për Republikën e Kosovës, bëhen përmes Korporatës së internetit për ndarjen e emrave dhe numrave (ICANN/IANA) dhe agjencionit shërbyes ISO 3166 të Kombeve të Bashkuara (ISO 3166/MA). Nisur nga faktin që edhe kjo çështje është e ndërlidhur me Kombet e Bashkuara, atëherë domosdoshmërish edhe pritjet janë që kjo çështje do të zgjidhet paralelisht me kodin shtetëror telefonik, në bashkëpunim të ngushtë me ministritë kompetente.

Ndërlidhur me kodin shtetëror të internetit, marrë në konsideratë se tash me Kosova është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore por edhe me vendimin e fundit të ICAANN-it (Qershor 2011) ku është marr vendim që tregu i gTLD–se të liberalizohet dhe të rritet konkurrenca me që rast në masë të madhe edhe është hapur tregu i internetit, ART vlerëson se janë krijuar premisat që të ndërmerret hapi i ardhshëm drejt mundësisë se listimit të Kosovës si shtet në bazën e të dhënave të OKB-së, ku pastaj ICANN do mund të ndajë ccTLD për Kosovën ose në të kundërtën të aplikohet drejtpërsëdrejti për gTLD si nivel gati gati ekuivalent me ccTLD-në me që IDN (emri i domenit të ndërkombëtarizuar) është i deleguar si ccTLD dhe me një proces të shpejt pritet që i njëjti ti delegohet gTLD-së së re nga çka rrjedh se top level domini i ri (gTLD-ja e re) e ka nivelin e njëjtë me ccTLD.