Komunikate per Opinionin - Ankandi per Dhenien ne Shfrytezim te Blloqeve Frekuencore ne Brezet 3.4 - 3.8 GHz

Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Autoriteti) sipas Ligjit për Komunikime Elektronike ka për mandat dhe objektiv detyrën e të siguruarit të shfrytëzimit efikas dhe efektiv (optimal) të spektrit radio frekuencor. Pjesë kryesore e arritjes së këtij objektivi ligjor dhe rregullator është dhënia në shfrytëzim e spektrit të lirë për operatorët e tregut të komunikimeve elektronike, kryesisht përmes procedurës së Ankandit.

Me datë; 10 Dhjetor, 2013 në organizim dhe mbikëqyrjen e Komisionit profesional të caktuar nga Bordi i Autoritetit për herë të parë në Republikën e Kosovës është organizuar Ankandi publik për dhënien e së drejtës së shfrytëzimit (përdorimit) të brezeve frekuencore 3400 - 3600 MHz dhe 3600 - 3800 MHz, breze këto të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve brezëgjëra në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ankandi i organizuar nga Autoriteti me përkrahjen e ekspertëve nga Bashkimi Evropian, ka pas për objektiv sigurimin dhe nxitjen e konkurrencës fer dhe efektive në ofrimin e shërbimeve dhe rrjeteve të komunikimeve elektronike, faciliteteve shoqëruese dhe shërbimeve tjera, si dhe zbatimin e prioriteteve dhe objektivave zhvillimore ekonomike të vendit dhe objektivave sociale si të përcaktuara me prioritetin 1), respektivisht objektivat 2) dhe 3) të dokumentit të Politikave të Sektorit të Komunikimeve Elektronike të njohur si 'Axhenda Dixhitale 2013 : 2020'.

Rezultatet e fituara nga Ankandi, në vlerësimin e Autoritetit rezultojnë të kenë arritur qëllimin dhe objektivin kryesor për sigurimin e një ambienti të qartë ligjor dhe rregullator, ku aktorët ekzistues dhe ata të interesuar për sektorin e komunikimeve elektronike kanë pas mundësinë e pjesëmarrjes në një proces dhe procedura fer dhe trandaparente që promovojnë konkurrencën e drejtë dhe të fortë në segmentin e shërbimeve brezëgjëra.

Gjithsej 20 MHz të spektrit në bllokun e brezit 3600 - 3800 MHz janë autorizuar nga Bordi i Autoriteti në mbledhjen e LVI) të mbajtur me datë; 18 Dhjetor, 2013 për dhënie në shfrytëzim të fituesit të ankandit, për vlerën e përgjithshme prej 110,200.00 €.

Autoriteti, nisur nga realizimi i pjesshëm i objektivave të projektuara për dhënien në shfrytëzim të brezeve 3400 - 3800 MHz pas shqyrtimit të analizës gjithëpërfshirëse dhe konsultimeve me palët e interesit gjatë pjesës së parë të vitit 2014 planifikon të organizoj Ankandin e dytë me radhë për dhënien e të drejtave (autorizimeve) për shfrytëzimin e resurseve radio frekuencore në brezet 3400 - 3800 MHz.

Autoriteti i faleminderon gjitha palët e interesuara për/gjatë gjitha fazave të procesit dhe procedurave të Ankandit.