Delegacioni i Autoritetit prezanton Kosoven ne Forumin e 6 me teme - Telekomunikacionit dhe TIK si Nxites te Inovacionit

Delegacioni i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në përbërje prej z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit, z. Besnik Berisha, Anëtar i Bordit dhe z. Arijan Qorolli, Udhëheqës i Zyrës së Analizave Ekonomike, po marrin pjesë në Forumin e 6-të ndërkombëtar, të Telekomit Shqiptar (InfoCom Albanian Telecom Forum), në organizimin dhe nën kujdesin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i Bordit, z. Hoxha me këtë rast ka marrë pjesë dhe kontribuar si panelistë në sesionin e samitit të Rregullatorëve, sesion ky i programuar gjatë punimeve të forumit me tematikë; me ç'rast edhe ka prezantuar një prezantim mbi kornizën institucionale, ligjore dhe rregullatore të Republikës së Kosovës, mundësitë që ofron vendi ynë për zhvillimin e sektorit si dhe hapat që janë marrë deri më tani dhe ato që planifikohen të ndërmerren në të ardhmen nga ana e organeve kompetente në fushën e komunikimeve elektronike dhe TIK për stimulimin e tyre.  z. Hoxha, gjithashtu paraqiti fakte dhe të dhëna konkrete për nivelin e lartë të shfrytëzimit të teknologjisë së informacionit në Kosovës, që përbën një parakusht të domosdoshëm për zhvillimin e biznesit të kësaj fushe në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Në këtë kuadër të punimeve të Forumit anëtarët e delegacionit të Autoritetit, kanë zhvilluar takime me homologët dhe pjesëmarrësit e shumtë tjerë në Forum, me të cilët janë diskutuar çështjet me interes reciprok me fokus eksploatimin e mundësive për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe rezultateve mbi zhvillimet e fundit në fushën e komunikimeve elektronike dhe aplikacioneve të reja të TIK ndërmjet përfaqësuesve të autoriteteve kompetente nacionale, operatoreve dhe grupeve të interesit pjesëmarrës në punimet e Forumit. Tema boshtore e Forumit është të kuptuarit e ndikimit që ka rregullimi i TIK mbi konkurrencën, se si konkurrenca efektive nxit inovacionin, ndikon tek çmimet dhe përfitimi i shërbimeve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë që përdorimi i Internetit dhe teknologjive të tjera të informacionit dhe komunikimit mund të sjellë në shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve tona si dhe mbi mënyrat për të kapërcyer hendekun dixhital.