Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me rregullatorin e komunikimeve elektronike të Letonisë

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) z.Kreshnik Gashi ka nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi në Riga të Letonisë me Kryetarin e Bordit të Komisionit të Aseteve Publike (SPRK), pjesë e të cilit është rregullatori i Komunikimeve Elektronike i Letonisë, z. Roland Irklis.

Memorandumi i nënshkruar ndërmjet këtyre dy institucioneve parasheh rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e ekspertizës në fushën e komunikimeve elektronike. Memorandumi ndër të tjera parasheh bashkëpunim dhe shkëmbim të ekspertizës profesionale në fusha si mbikëqyrja dhe rregullimi i tregjeve të komunikimeve elektronike, promovimi i inovacioneve teknike, menaxhimi dhe monitorimi i radio-frekuencave, mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve në komunikimet elektronike, etj.

Gjatë qëndrimit në Riga, delegacioni i ARKEP në përbërje të cilit ishin edhe anëtarët e Bordit të ARKEP z.Hazir Hajdari, z.Nijazi Ademaj dhe z. Bahri Anadolli, kanë zhvilluar takime edhe në Agjencinë e Menaxhimit të Frekuencave të Letonisë si edhe kanë pasur një takim të veçantë në Organin e Rregullatorëve Evropian të Komunikimeve Elektronike (BEREC), selia e të cilit është në Riga të Letonisë.

Gjatë takimit me zyrtarët e Organit e Rregullatorëve Evropian të Komunikimeve Elektronike (BEREK), kryetari i Bordit të ARKEP z.Gashi shprehi gatishmërinë e ARKEP për aplikim sa më të shpejtë për anëtarësim në cilësinë e vëzhguesit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane për rregullimin e tregjeve elektronike, si dhe organizata tjera me rëndësi në tregun e komunikimeve elektronike.